Shkëlzen Qordja, shoferi i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u gjet i vdekur në ambientet e Gardës së Republikës, mëngjesin e kësaj të shtune. Nga hetimet paraprake mësohet se janë tre plumba në kokë që i kanë shkaktuar vdekjen. Kanë qenë kolegë të 31-vjeçarit që e konstatuan ngjarjen.

Makinën e shërbimit ishte e parkuar pranë garazheve të Gardës, të cilat janë të përcaktuara për automjetet e punonjësve të Ministrisë së Brendshme.

Pranë trupit të tij, oficerët kanë gjetur edhe armën shërbimit, një automatik “MP5”. Policia thotë se i riu është vetëqëlluar me armën e shërbimit, e cila ka qenë në opsionin e qitjes me breshëri. Kjo sipas policisë shpjegon dhe faktin që në vendngjarja u gjetën 3 gëzhoja automatike.

Për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë, në polici janë shoqëruar disa punonjës të Gardës, të cilët kanë qenë me shërbim në atë kohë.

Gjithashtu, Prokuroria ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet e viktimës para ngjarjes. Mënyra se si është gjetur trupi, arma dhe plaga në kokë, i bëjnë hetuesit të kanalizojnë hetimet drejt vetëvrasjes.

Megjithatë nuk përjashtohen edhe pista të tjera, të cilat po ndiqen nga hetuesit. Qordja rezulton punonjës i Gardës që prej Marsit të vitit të kaluar, ndërsa prej 8 muajsh shërbente si shofer i Ministrit të Brendshëm.

Tv Klan