Sasia e katërt e dozave nga Pfizer

8190 vaksina anti-Covid pritë të mbërrijnë në Shqipëri këtë të hënë, duke e çuar kështu në rreth 17 600 totalin e dozave të marra nga Pfizer. Lajmi u bë i ditur nga ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë seancës plenare.

“Në një luftë bërrylash në tregun e madh global të vaksinave, ku me sa duket mbizotëron filozofia e më të fortit, imagjinoni çfarë përpjekjesh të jashtëzakonshme i janë dashur Shqipërisë tonë të vogël, për të siguruar një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer për 500 mijë vaksina, nga e cila kanë mbërritur mbi 8 mijë doza deri më sot, dhe pritet lëvrimi i 8190 dozave të tjera sot, e kështu duke vijuar me kalendarin e ardhjes së vaksinave”

Sasia e parë prej 1200 dozash të vaksinës Pfizer erdhën në formë dhurate në 11 Janar kohë kur edhe nisi procesi i vaksinimit, për t’u pasuar më tej me 1200 doza në fillim të Shkurtit, 7020 doza në  15 Shkurt dhe 8190 doza këtë të hënë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri më tani janë vaksinuar 4600 mjek dhe infermierë të spitaleve, Covid dhe spitaleve rajonalë, si dhe 400 të moshuar në azile dhe stafet mbështetëse. Ndërkohë po vijon procesi i vaksinimit për të moshuarit personalitete mbi 80 vjeç.

Tv Klan