24-vjeçari Rrexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja do të vazhdojë të qëndrojë në burg. I riu që doli sot para gjykatës së Krujës për tu njohur me masën e sigurisë i mohoi akuzat ndërsa nuk kurseu edhe mesazhet drejtuar politikës.

Seanca për verifikimin e masës ka zgjatur për më shumë se një orë.

Prokuroria Mirela Kapo i kërkoi gjykatës të konfirmonte masën arrest me burg të dhënë në mungesë për 24-vjeçarin, kërkesë kjo që u pranua nga gjyqtarja e çështjes.

Por Rraja i ka mohur akuzat dhe në kohën kur la ambientet e gjykatës me pranga në duar tha se gjithçka është sajesë e politikës, duke lëshuar edhe një mesazh për kreun e Partisë Demokratike.

Rexhep Rraja:

Lulzim Basha do ta shikojë në votime

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor si dhe të mos cenimit të viktimës.

Burime pranë gjykatës bëjnë me dije se, prokuroria paraqiti përballë togave të zeza, akt-ekspertimin ku duken shenja dhune në trupin e Xhisiela Malokut, disa djegies nga cigarja, por edhe përgjimin ambiental mes vajzës dhe Rexhep Rrajës, i kryer me 29 Shtator, ditë kur ata janë ballafaquar me njëri-tjetrin ne prokurori.

Një tjetër argument i akuzës ishte dëshmia  e parë e Malokut, ku denoncoi dhunë në komisariatin e policise numër 3 në Tiranë, më pas edhe tek oficeri Emiliano Nuhu, pasi kjo dëshmi, ndryshe nga të tjerat, ka rezultuar në përputhje me provat e mbledhura gjatë veprimeve hetimore.

Po kështu akuza paraqiti pamje filmike ku Xhisiela Maloku shfaqet në kamerat e hotelin ku ajo tregon se kishte qenë me ish të dashurin, si dhe një mesazh i dërguar nga shoqja e saj, për të cilin 25-vjeçarja thotë se ishte bërë shkaku pse ish -i dashuri ushtroi dhunë.

Tv Klan