Socialistët rrezikojnë përçarjen. Ish kryetari i socialistëve Fatos Nano ka shpalosur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, kritika të ashpra ndaj kabinetit të kryesuar nga Majko. Nano u shpreh se Qeveria vazhdon në një klimë të ndenjur solidariteti ku vendimet për t’u ulur në dialog me opozitën merren jashtë institucioneve dhe forumeve drejtuese të Partisë Socialiste. Ndërkohë i është përgjigjur Majko duke folur për takimet me opozitën. Për të folur Nano publikisht në praninë e gazetarëve është dashur votimi i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të socialistëve. Kritikat e ashpra të ish kryetarit socialist Nano janë pasuar nga akuzat e ish nënkryetarit të socialistëve Servet Pëllumbi. Zëvëndëskryeministri Meta ka bërë publike tërheqjen e tij nga kandidimi për kryetar në Kongres. Socialistët vendosën mbajtjen e Kongresit të Tretë të Partise Socialiste me datat 26, 27 Qershor.

Fatos Nano: Kam ardhur pra sot për të mos çuditur me askënd që vazhdon të më pyesë se ku jam, pse jam dhe si jam, po për t’i shkuar deri në fund atij misioni fisnik të cilit i kam dedikuar edhe jeten time, kauzës për një Shqipëri normale ku secili fiton lirinë e merituar politike përmes votës së lirë të shumicës dhe gjithashtu secili siguron mirëqënien personale përmes
respektimit të institucioneve dhe rregullave të konkurencës luajale. Jam pra sërish midis jush për t’ju kujtuar se qoftë dorëheqja ime si Kryeministër, ashtu dhe vetë pezullimi i motivuar i ushtrimit të funksioneve si kryetar i Partisë Socialiste, ishin dhe mbeten mundësi për një reflektim të hapur. Dua të sjell në vëmendjen e të gjithë shokëve se shumë pak për të mos thënë asnjë nga nivelet e sotme që udhëheqin Partinë Socialiste apo ekzekutivin nuk janë të fituara në bazë kontributesh reale politike dhe as konkurimi i … programesh apo platformash qeverisjeje. Ato janë në mos të falura të paktën të lëna bosh me vullnet të lirë së pari nga kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano. Edhe mua në analizë të fundit nuk më mbeti mundësi tjetër veçse t’i hap rrugë dëshirës së papërmbajtur deri të dhunshme të asaj pjese ende të paprovuar brenda nesh për të marrë pushtet ekzekutiv.

Pandeli Majko: Dialogu në politikë nuk bëhet duke emëruar lojtarët e saj, por me ata lojtarë që ndodhen në fushën e lojës. Parë me këtë sy do të hidhja poshtë me indinjatë çdo përpjekje që këto takime i cilësojnë si një riciklim i Berishës në politikë. Këto takime ishin në fund të fundit kursim i energjive tona përballë të keqes më të madhe që na kërcënon si komb.


Fatos Nano: Unë besoj se dhe ju mendoni qe nuk mund te vazhdohet më me këto shfaqje amullie në qeverisje. Kur pershembull Ministrit të Rendit i kërkohet Rend duke ja përcaktuar rendin e tij të tjerë individë dhe autoritete brenda dhe jashtë kabinetit. Kur konfliktet tashmë rutinore mes ministrave për interesa aspak parimore përfundojnë deri në dyert e Gjykatave. Kur mungon deri komunikimi midis krerëve të Qeverisë, kur vazhdojnë të nëpërkëmben institucionet për interesa të ngushta dhe shkohet deri në mënjanimin apo zëvëndësimin arbitrar të funksioneve të segmenteve të rëndësishme të shtetit siç është Kryetari i SHIK-ut, me struktura paralele apo me vartësa të tij, kur nuk ka asnjë përmirësim në treguesit fiskal, sidomos në mbledhjen e tatimeve dhe të ardhurat nga doganat, por përkundrazi korrupsioni shtohet në shifra, në gjërësi dhe në thellësi, dhe kur Komuniteti Ndërkombëtar,siç ndodhi në takimin e fundit të miqve të Shqipërisë në Vjenë nuk rresht së ringrituri me tone në rritje të gjitha këto shqetësime, ndërsa Qeveria jone, nuk e shikoj si të huajt, vazhdon të shtojë lavdet për vete. Unë mendoj gjithashtu se nuk mund të vazhdohet më as në këtë klimë të ndenjur pseudouniteti, në vend të cilit do të preferoja solidaritetin që plotëson gjithsecilin prej nesh apatie partiake. Kur shumica e atyre që drejtojnë jo vetëm kanë frikë t’i përmendin deri emrin ish kryetarit të tyre por dhe funksionimi i partisë konceptohet dhe reduktohet ende për fat të keq në përpjekje për futje jo militantësh por tashmë krushqish, miqsh dhe komshinjsh në fund, kur sekretaret e
partisë i druhen ballafaqimit me bazën e partisë dhe shpesh e kalojnë orarin e punës të partisë në zyrat e administratës shtetërore. Kur sekretari i përgjithshëm pa asnjë mandat partiak apo kushtetues i premton kryetarit të opozitës shkeljen e ligjit për të …. ditët në pushtet duke bërë kështu që hyrja në Parlament e opozitës të kushtëzohet në mënyrë absurde me këtë
premtim të paktën naiv. Këto janë ato që kemi dhe besoj se po aq e rëndësishme është të ndalemi tek ato që na mungojnë. Me një fjalë do të thosha se nuk kemi ende një platformë të përpunuar mirë për
kushtet e krijuara, e cila të ndalojë rënien tonë të përbashkët, të frenojë shkarjen në një pikë të tillë kritike nga e cila do të na duhej pastaj vite për t’u ringritur.


Servet Pëllumbi: Unë do t’a përshëndesja zotin Nano nëqoftëse do t’i qëndronte dorëheqjes siç e njeh tërë bota, dorëheqjen. Nuk ka largime të
përkohëshme, kovalishenca të përkohëshme në parti, në parti ka përgjegjësi. Në parti kërkohet llogari, por edhe jepet llogari. Por unë konstatoj me keqardhje që partia gjatë këtyre viteve, gjatë tre vjetëve të fundit nuk ka bërë një analizë të mirëfilltë në forumet e saj. Dhe me ç’të drejtë atëherë ish kryetari i partisë në mbledhjen e 20 Janarit thotë: Forumi kryesor i partisë, Komiteti i Përgjithshëm drejtues është në udhëkryq dhe unë bëj apel. Pse u kujtua tani kryetari i partisë të bëjë apel./tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame