Mbretëresha Elizabetë tha të martën se çifti mbretëror ndihet i trishtuar nga vështirësitë që kaluan nipi i saj Princ Harry dhe gruaja e tij Meghan-i si dhe premtoi se do të merret personalisht me çështjen e komenteve raciste për djalin e tyre.

Meghan Markle, në një intervistë me Oprah Winfrey-n të transmetuar të dielën në televizionin amerikan, akuzoi familjen mbretërore se kishte ngritur shqetësime për atë se sa e errët mund të ishte lëkura e djalit të tyre të palindur Archie dhe se nuk kishte përfillur lutjet e saj për ndihmë kur ajo po shihte mundësinë e vetëvrasjes.

“E gjithë familja është e trishtuar kur mësoi plotësisht se sa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për çiftin Harry dhe Meghan,” tha Pallati Buckingham në një deklaratë të lëshuar në emër të Mbretëreshës Elizabetë.

“Çështjet e ngritura, veçanërisht ajo e racës, janë shqetësuese. Ndërsa disa episode mund të kujtohen ndryshe, ato merren shumë seriozisht dhe do të trajtohen nga familja privatisht…Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë pjesëtarë shumë të dashur të familjes”, thuhej në deklaratë.

Intervista televizive e ka zhytur çiftin mbretëror në krizën më të madhe që nga vdekja e nënës së Harry-t, Diana në vitin 1997, kur familja, e drejtuar nga Mbretëresha Elizabetë, u kritikua gjerësisht pasi u përgjigj me shumë vonesë.

Një burim mbretëror tha se Pallati e quan këtë një çështje familjare dhe se çiftit mbretëror duhet t’u jepej mundësia për t’i diskutuar çështjet e ngritura privatisht si familje.

Burimi shtoi se ata kishin nevojë të peshonin me kujdes përgjigjen para se ajo të publikohej.

Në intervistën dy orëshe, Harry tha gjithashtu se babai i tij, trashëgimtari i fronit Princi Charles, e kishte braktisur atë dhe se ai ishte ndjerë i pafuqishëm gjatë jetës së tij brenda familjes mbretërore./VOA