Mbyllet porta e shkarkimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Në orët e vona të mbrëmjes porta e hidrocentralit të Vaut të Dejës që lejoi shkarkimin e ujërave pas mbushjes së liqenit nga prurjet e shumta të shirave është mbyllur.

Specialistë të korporatës elektroenergjetike dhe hidrocentralit të Vaut të Dejës e pohuan këtë fakt duke arsyetuar me faktin se prurjet e ujit u ulën ndjeshëm dhe nuk kishte më rrezik.

Mëngjesin e së premtes prurjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës ishin 60 metër kub në sekondë nga 400 metër kub për sekondë që ishin një ditë më parë. Aktualisht në hidrocentralin Vaut të Dejës po punohej me të 4 turbinat ku gjatë 24 orëve është prodhuar 4.8 kilovat orë energji elektrike.

Ndërkohë që situata në prefekturën e Shkodrës po shkon drejt normalizimit, problem mbetën sërish komunat Hajmel dhe Mnel-Vig. Shkatërrimi i argjinaturës së lumit Gjadër ka vënë seriozisht në rrezik jetën e rreth 90 familjeve në këtë zonë.

Forcat e ushtrisë kane evakuuar rreth familje të tjera më të rrezikuara nga ujërat e Gjadrit ndërsa po punohet për mbushjen me thasë rëre dhe blloqe betoni të pritave provizore. Ndërkohë po vazhdohet me furnizimin me ndihma të familjeve më të prekura nga përmbytjet.

Në Shkodër sipas shtabit të emergjencës deri tani janë përmbytur rreth 600 shtëpi, 5000 hektarë tokë si dhe janë dëmtuar kilometra të tëra rrugë, ura apo vepra të tjera arti./tvklan.al