Filipçe: Presim valë të re infektimesh në vjeshtë

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë njoftuar për katër pacientë tjerë që kanë humbur betejën me koronavirusin duke çuar në 65 numrin e viktimave. Tashmë disa ditë me radhë raportohet për numër më të madh të të shëruarve se sa të infektuarëve.

Vetëm sot janë raportuar 53 të shëruar dhe 13 raste të reja me COVID-19, që çon në total numrin e të prekurve në 1399.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, analizat e fundit paraqiten më optimiste rreth pritjeve për numrin e përgjithshëm të të infektuarëve Në Maqedoninë e Veriut.

Supozimet paraprake prej 2000 deri 2500, sipas Ministrit, tani lëvizin në intervalin mes 1600 dhe 1700 të prekur, duke bërë me dije se do të jenë në fuqi disa masa për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha vendet kanë mësuar se si ta përgatisin sistemin shëndetësor për periudhën e ardhshme. Edhe ne jemi në rrugë të mirë, për t`u organizuar. Në veçanti për fillimin e vjeshtës kur me siguri të plotë presim një valë të re të të infektuarëve”.

Ndërkohë, gazetari Mirçe Adamçevski i cili ka fituar betejën me COVID-19, për Klan Maqedoni ka rrëfyer përvojën e tij në Klinikën Infektive.

Mos dhashtë Zoti që njeriu të infektohet me virusin korona, sepse unë kalova me më pak pasoja, do të bëj disa analiza, por brenda kishte njerëz në gjendje të rëndë, mos i dëgjoftë njeri ulërimat, zërat dhe kollitjen e tyre. Kështu që duhet të mbahet llogari për të mos u infektuar”.

Ndërkaq, prej nesër autoritetet do të fillojnë me shqiptimin e dënimeve në rast të moszbatimit të rekomandimeve. Policia gjatë ditës paralajmëronte qytetarët…

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka rekomanduar që për Festat e Majit të ketë orë policore ngjashëm sikurse për Festën e Pashkëve, nga e enjtja deri të hënën në mëngjes. Autoritetet shëndetësore thonë se është herët për lehtësimin e kufizimit të lëvizjes. Qeveria një vendim të këtillë duhet ta miratojë gjatë të martës.

Tv Klan