Tvklan.al ka shkuar në vendin nga u realizua qitja për vrasjen e Kastriot Reçit mesditën e 7 Janarit në Rëshen.

Këto janë pamjet nga banesa e braktisur në një pallat disa katësh, ku ishte strehuar vrasësi profesionist i 47-vjeçarit Reçi. Pikërisht nga kjo dritare ngjyrë kafe e mbyllur, snajperi ishte pozicionuar për të realizuar qitjen. Një hapësirë e vogël, por e mjaftueshme, mes murit dhe grilës së dritares, i ofronte snajperistit fushëpamjen e plotë të qendrës së Rrëshenit, pikërisht aty ku po kalonte 47-vjeçari Reçi për të shkuar në lokal.

Goditja ka qenë precize dhe e saktë. Kastriot Reçi u qëllua me një plumb në zemër dhe mbeti i vrarë menjëherë. Burimet policore thonë se snajperisti kishte përdorur armë me silenciator, dhe për këtë arsye nuk u dëgjua krisma, sikurse kanë pohuar dhe dëshmitarët, të cilët janë shprehur se vetëm kanë parë Kastriot Reçin të rrëzohej në tokë, por nuk kanë dëgjuar asgjë.

Banesa në katin e fundit të një pallati ishte e braktisur dhe vrasësi kishte hyrë me forcë në ambientet e brendshme të apartamentit. Vendi ku ai ishte pozicionuar, i jepte mundësinë atij që të mos ekspozohej pasi ishte tërësisht e padukshme nga jashtë.

Pas vrasjes, autori u largua qetësisht dhe armën e krimit e hodhi në pjesën e pasme të pallatit. Nga burimet hetimore mësohet se qitja është kryer nga një distancë rreth 150 metra, çka do të thotë se snajperisti ka qenë profesionist duke qenë se “misionin” e kreu me një goditje të vetme nga një distancë e tillë. /tvklan.al