Mediat italiane reportazh për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës – TV KLAN

Mediat italiane reportazh për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës

Kosovë, historia e grave të përdhunuara dhe të harruara gjatë luftës. Kështu nis reportazhi i transmetuar në mediat italiane ku rrëfen për temën që ende konsiderohet një tabu.

Në Kosovë çdokush ka një histori të tijën për të treguar. Disa vjet pas përfundimit të luftës, cilido mund të kujtojë torturat, ekzekutimet në masë, zjarrvëniet e varret e përbashkëta. Por në Kosovë ka dhe histori që dhe sot e kësaj dite është vështirë për të folur.

“Atë mëngjes ndodhesha në shtëpi me tre vajzat e mia kur erdhën ushtarët serbë. Ishin katër, dy policë dhe dy paraushtarakë. Më pyetën se ku ndodhej bashkëshorti im duke më thënë se ai ishte pjesë e UÇK-së – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Filluan të talleshin me mua duke më pyetur se çfarë bëja vetëm në shtëpi. Më pas më ofenduan duke u bërë gjithnjë e më të dhunshëm. Deri kur njëri prej tyre më sulmoi.

Kur e kuptova atë që do të ndodhte u largova në një dhomë tjetër, sepse nuk doja që vajzat e mia të shihnin. Dy prej tyre më ndoqën, dhe njëri nga ata nisi të më prekte. Unë bërtisja dhe dëgjoja vajzat e mia që qanin. Më pas erdhën dhe dy të tjerët. U përpoqa të arratisesha, por më goditën dhe humba ndjenjat. Vajza më e madhe ishte katër vjeç. Dhe që nga ajo ngjarje vuan nga kriza epilepsie. Dhe sot e kësaj dite unë nuk e di nëse ajo e ka kuptuar atë që ndodhi, nuk kemi folur asnjëherë për atë ditë”.

Rrëfimi i kësaj gruaje që takuam në një fshat në jug të Kosovës, është i ngjashëm me atë të shumë të tjerave. Askush nuk e di numrin e saktë të këtyre viktimave por mendohet të jenë me mijëra.

Për momentin është arritur një rezultat i rëndësishëm, pasi përdhunimi është pranuar si një krim lufte. Për këtë arsye viktimat dëmshpërblëhen në formën e një pensioni mujor prej 230 eurosh në muaj.

“Atë ditë bashkëshorti im u vra nga serbët. Dhe unë u gjenda e vetmuar me tre vajzat e mia dhe me një secret për të ruajtur deri në fund të jetës. Disa gra nisën të tregonin atë që iu kishte ndodhur, por njerëzit filluan të talleshin me ‘to. Ja ajo që e kanë përdhunuar serbët – thonin. Sikur të kishte qenë faji ynë për atë që kishte ndodhur. Di për historinë e një gruaje e cila disa javë më parë i tregoi motrës së saj se e kishin përdhunuar. Dhe tani motra e saj nuk i flet më. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe akoma nuk mund të flasim për atë që ka ndodhur, as me familjarët tanë.”

Për gratë që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale nga serbët në Kosovë, ka pasur heshtje që në fillim. Për ‘to nuk kanë folur as organizatat humanitare, as ushtarët e forcave shumëkombëshe të paqes dhe as gazetarët. Por prej disa vitesh ka persona që punojnë për të identifikuar këto viktima dhe për t’i ndihmuar, sipër shembull shoqata për gratë mjeke në Gjakovë.

Fehmije Lushza, Asistente Mjekësore: “Shkojmë në çdo shtëpi për të treguar punën që bëjmë. Shpjegojmë se ka një qendër ku gratë mund të shkojnë dhe të flasin për problemet e tyre dhe ne i presim këtu. Zakonisht vijnë me një justifikim tjetër duke thënë se kanë pësuar një traumë gjatë luftës. Por gjithnjë flasin vetëm për vdekjen e bashkëshortit të tyre, apo djegien e shtëpisë.”

Akoma sot vështirësia më e madhe për këto  viktima është turpi dhe frika se mos i largojnë nga familja

Fehmije Lushza, Asistente Mjekësore: “Para se të na tregojnë historinë e tyre ato thonë gjithnjë të njëjtën gjë: A do ta marrë vesh njeri? Kanë terrorin se mund të merret vesh që kanë qenë viktima të përdhunimeve. Anonimiteti për ato është thelbësor. Për këtë arsye përveç mbështetjes psikologjike, dhe ndihmës në procedurat për përfitimin e pensionit, I ndihmojmë dhe të kërkojnë një punë. Apo dicka që mund t’I justifikojë para familjeve të tyre, për paratë që marrin cdo muaj. Pas shumë vitesh dënimi me heshtje për këto gra nuk ka përfunduar akoma.  /abcnews.al

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*

Emisione