Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Presidenti Mejdani dhe Akademiku Kosovar Rexhep Qosja sot vizituan kampet e Elbasanit. Të dy personalitetet janë takuar me kosovarë të strehuar në kampin e Mjeksit dhe janë interesuar për kushtet e jetesës aty. Një vizitë në çadrën e një kosovareje 100-vjeçare nga Prizëreni dhe më pas një xhiro në kamp.

Presidenti Mejdani u ka thënë kosovarëve që jam këtu si një Rexhep i dytë dhe është nder që ndodhem mes jush me simbolin tuaj Rexhep Qosen. Për shtypin Presidenti Mejdani tha se pesë pikat vënë Millosheviçit nuk janë gjithçka. Përpunimi i detajeve është me rëndësi pasi kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës.

Rugova është një problem që nuk duhet komentuar shumë ka thënë sot akademiku Qosja pas mësimit për anullimin e vizitës së tij në Shqipëri. Presidenti Mejdani ka inkurajuar kosovarët e strehuar në Mjekës, që shumë shpejt do të kthehen në Kosovë tashmë të lirë.

Pasi ka falenderuar qeverinë turke për ndihmën e dhënë refugjatëve kosovarë në këtë kamp, Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani është njoftuar se shumë shpejt presidenti turk Demirel do të vizitoj sërisht Shqipërinë dhe kampin turk të Mjekësit./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj