Vrasja e një tjetër shqiptari në Greqinë fqinje ka sjellë sërish reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila me ashpërsi dënon ekstremizmin dhe gjuhën e urrejtjes. Në një deklaratë për mediat ky institucion thotë se u njoftua nëpërmjet Ambasadës në Athinë se dje në mbrëmje, më datë 04.12.2018 në zonën e Kavallës, është gjendur i pajetë shtetasi shqiptar Marios Isak i datëlindjes 31.7.2000, lindur në Kavalla, Greqi.

MEPJ shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së të riut shqiptar dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është në kontakt me familjen e të ndjerit për ofrimin e asistencës së nevojshme.

Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit dhe në të njëjtën kohë solidaritetin me familjet e tyre.

MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke.

MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj. Nuk pranojmë kurrsesi të mësohemi as me thirrjet e tyre ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as me viktimizimin patetik e nacionalist të ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane.

Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi.

/tvklan.al