Ky vit shkollor është një ndër më të pazakontët që nis në Shqipëri. Pandemia e koronavirusit ka bërë që mijëra nxënës t’i drejtohen shkollave ndryshe nga vitet e tjera, pasi në hyrje do të duhet të dezinfektohen, duhet të masin temperaturën, të ruajnë distancën dhe të qëndrojnë vetëm në banka.

Nisja e mësimit është pritur plot emocione nga nxënësit. Një pjesë e tyre janë shprehur për mikrofonin e Tv Klan se janë të lumtur që ka nisur sezoni shkollor.

“Jam i lumtur që fillon shkolla. Me mësimin online ishim shumë mbrapa”, u shpreh një nxënës.

Ka nga ata që do të donin mësimin online.

“Për mua do ishte më shumë mësim online, por që mirë, e pranueshme. Nuk i respektojnë të gjithë rregullat kështu që është e logjikshme që do të ketë pak frikë”.

Një tjetër nuk e fsheh frikën për shkak të panjohurave që sjell nisja e shkollave diktuar edhe nga pandemia.

“Dita e parë është një ditë plot emocion për çdo nxënës. Domethënë që vjen në dyert e një gjimnazi, sepse edhe shokët edhe klasa, çdo gjë është e re, megjitatë të diktuar nga situata ku ndodhemi emocioni është dyfish i shtuar dhe është një udhëtim krejtësisht i panjohur për ne”.

Mbajtja e maskës nga nxënësit në Tiranë ka qenë një problematikë. Ajo që është vënë re në hyrje të shkollës ka qenë distanca që kanë ruajtur nxënësit. Mirëpo jashtë ambienteve të shkollës ka pasur grumbuj nxënësish e prindërish si dhe nuk mbahej maska.

Protokollet e shëndetësisë thonë se duhet të respektohen me rigorozitet masat e vendosur për të mos patur infektime. Është kjo ajo që i druhen më shumë si prindërit, nxënësit, mësuesit edhe specialistët.

Këta të fundit kanë paralajmëruar shtim të rasteve me fillimin e shkollave, por bëjnë thirrje që të respektohen masat në mënyrë që të mbahen shifrat e infektimeve nën kontroll. /tvklan.al