Krerët e shtetit, homazhe në memorialin “Nënë Shqipëri”

Krerët më të lartë të shtetit kanë kujtuar 5 Majin, duke bërë homazhe në monumentin “Nënë Shqipëri”. Në ceremoninë e organizuar ka munguar Kryeministri Edi Rama, për shkak se në atë orë ka qenë në Rinas në takimin me Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varheji.

Në kushtet që i dikton pandemia, kreu i shtetit, Ilir Meta është parë të takohet me kreun e parlamentit Gramoz Ruçi. Pas ceremonisë të nderimit, presidenti Ilir Meta tha se kjo ditë të shërbejë si simbol për të bërë më shumë për Shqipërinë.

“Sot është dita jo vetëm t’i nderojmë këta heronj dhe heroina të popullit tonë por njëkohësisht që angazhohemi që të bëjmë shumë më tepër që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjithë liritë që u takojnë në vendin e tyre, në mënyrë që Shqipëria të ketë vendin që i takon sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme evropiane këtu në Atdheun e tyre”

Homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve zhvilloi edhe kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

Tv Klan