Presidenti Ilir Meta në një postim në mediat sociale shkruan se është fatkeqësi që Kryeministri i vendit nuk njeh ekonominë. Meta shkruan se “Pyetjes a janë rritur pagat, Kryeministri i përgjigjet me një krahasim të fondit të pagave, që në fillim të vitit 2021 krahasuar me vitin 2006, fondi i pagave pritet të kalojë nga 45.5 miliard lekë, në 71.1 miliard lekë ose një rritje 56%”.

Sipas kreut të shtetit fondi i pagave nuk është tregues për rritjen e pagave.  “Zoti Kryeministër, sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin shtetëror në vitin 2006 është 28822 lekë, ndërsa në vitin 2013 arrin në 52150 lekë ose një rritje prej 81% me një rritje vjetore mesatarisht  11.6%”, shton Presidenti.

Meta shton se në tremujorin e dytë të vitit 2020 paga mesatare arrin në 63826 lekë ose një rritje krahasuar me vitin 2013, në 22%, me një rritje mesatare vjetore prej 3.1%.

Pra si shikohet pagat janë rritur mesatarisht për çdo vit 3.7 herë më shumë në periudhën 2006-2013, krahasuar me periudhën 2013-2020. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë maksimale dhe jo mashtrime elektorale!”, përfundon ai.

Reagimi i President vjen pas premtimit të Kryeministrit Edi Rama për rritjen e pagave për personelin shëndetësor dhe atë arsimor./tvklan.al