Presidenti Meta gjatë konferencës së përbashkët me homologun bullgar këtë të enjte është pyetur rreth akuzave që kryeministri Rama i bëri gjatë seancës plenare.

Kreu i qeverisë tha se është krijuar një koalicion i madh në mbështetje të krimit të organizuar. Pjesë e këtij koalicioni sipas Ramës përveç mediave, opozitës dhe Avokatit të Popullit është edhe Presidenti Meta.

Por kreu i shtetit duke iu përgjigjur gazetarëve tha se nuk do të donte të fliste gjatë kësaj konference për çështje të brendshme, aq më të merrej “me një zonjë të nderuar si gruaja e Bilalit”.

“Nuk do të dëshiroja të shprehesha për çështje të brendshme, aq më tepër të merresha me një zonjë të nderuar si gruaja e Bilalit, që e njohin gjithë shqiptarët dhe nuk është serioze kjo. Ajo që është e rëndësishme është se Presidenti i Bullgarisë është këtu për të na dhënë mesazhe sa më pozitive në mbështetje për negociatat. Kushtet ndaj vendit tonë kanë ardhur duke u shtuar dhe që të gjitha kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe me luftën kundër fenomeneve të tilla, për të cilat raportet botërore tregojnë kush e ka përgjegjësinë”, tha Meta./tvklan.al