Balla: Propozim historik. Votohet kandidati i preferuar

Presidenti Meta është pozicionuar kategorikisht kundër propozimit të socialisteve për hapjen e listave të deputetëve. Kreu i shtetit thotë se sipas draftit të socialisteve, listat nuk hapen 100 përqind dhe parlamentarizmi degradohet.

“Hapini listat për qytetarët që të zgjedhin pas 12 vjetësh më në fund deputetët. Hapini 100 për qind! Mjaft e degraduat Kuvendin kështu, se edhe një asamble kooperative ka qenë dikur shumë më e përgjegjshme. Shqipëria ka patur parlamentarizëm të shkëlqyer 100 vite më parë o shakaxhinjtë e “integrimit””, shkruan ai në Facebook.

Për socialistët, propozimi i dorëzuar në Këshillin Politik është historik pasi i jep mundësi zgjedhësit të votojë kandidatin e preferuar në listat e subjekteve politike.

“Ky është një model që funksionon në mënyrë perfekte në vende të rëndësishme të BE-së dhe nga numri i popullsisë nuk janë shumë të mëdha dhe këtu flas për Republikën Çeke, Holanda, Kroacia”, tha Balla.

Taulant Balla ju kujton demokratëve se koha nuk pret dhe është i bindur që dhe ata do ta “përqafojnë” draftin e propozimeve që duhet të marrë miratimin e parlamentit deri në fund të Tetorit.

 “Ende besoj që PD do të heqë dorë nga këto lloj alibish sepse unë nuk hezitoj që është alibi e PD-së për t’i paraprirë humbjes së radhës në zgjedhjet e 25 Prillit”, tha Balla.

Demokratët bojkotuan mbledhjen e Këshillit Politik duke refuzuar që të nisin diskutimin mbi propozimet e ekspertëve të socialistëve, duke kërkuar që të jetë ekspertiza e OSBE/ODIHR-it që të flasë përpara se amendimet në Kodin Elektoral të marrin miratimin e Këshillit Politik dhe më pas parlamentit.

Tv Klan