Presidenti Ilir Meta ishte i ftuar këtë të martë në seancën e radhës të Komisionit Hetimor i ngritur për shkarkimin e tij për të dëshmuar. Por kreu i shtetit nuk ka shkuar. Kjo ka bërë që kryetari i komisionit Alket Hyseni të propozojë që Presidentit t’i komunikohet që deputetët janë të gatshëm për ta dëgjuar deri të hënën dhe ditën kur mund të paraqitet mund ta zgjedhë vetë kreu i shtetit brenda kësaj periudhe.

“Ky afat ka lidhje dhe me afatin e veprimtarisë së Kuvendit. E kemi të pamundur që përtej ditës së hënë për të zhvilluar veprimtari hetimore. Kuvendi na e ka mandatuar për një afat 3-javor. Duke pasur parasysh që ne duhet të mbyllim hetimin, por edhe të kemi mundësi për të bërë një krehje të plotë të provave, fakteve, apo thënieve të dëshmitarëve dhe më vonë për të krijuar bindjen e plotë, për të marrë vendimin dhe për të garantuar raportin për Kyendin, koha do të ishte e pamjaftueshme dhe për këtë arsye afati maksimal do të jetë ditën e hënë”, tha Hyseni.

Deputeti Spartak Braho kërkoi që të njihej me shkakun e vërtetë se pse Presidenti nuk shkon në seancë dëgjimore. Ai tha se argumenti i përdorur nga Meta, i cili thotë se nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, është puç pasi nuk njeh republikën.  

“Ne nuk kemi materialin e Presidentit përpara. Përpara se të vendosim unë dua të di shkakun e vërtetë. Të thuhet publikisht për ne këtu dhe për mediat, pse s’vjen. Më zuri veshin sikur thatë që nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit. Ta lexojmë. Nëse nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, ky është puç, s’njeh më republikën parlamentare. Kështu është, na e lexoni edhe njëherë, shprehimisht, çfarë thotë”, tha Spartak Braho.

Presidenti Ilir Meta i nisi një letër Kuvendit ku thoshte se Komisioni Hetimor për të hetuar shkeljet e pretenduara nga ana e tij është ngritur me urdhër politik dhe në kundërshtim me ligjin.

Presidenti thotë se procesi hetimor ndaj tij është i paligjshëm, fiktiv dhe jashtë çdo lloj afati. Ai ka përsëritur akuzat e tij se Komisioni Hetimor është ngritur me urdhër politik pa shkak dhe pa objekt në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kuvendi duhet të mbajë në konsideratë se, çdo kërkesë për informacion në kuadër të ndonjë procesi “hetimor”, është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021”./tvklan.al