Meta takon banorët e Selenicës: Të mos penalizohen nga arroganca e qeverisë, rruga të ndërtohet menjëherë



Meta takon banorët e Selenicës: Të mos penalizohen nga arroganca e qeverisë, rruga të ndërtohet menjëherë

14:21 18/01/2021

Pas përplasjeve për bllokimin e punimeve të projektit në Vlorë mes qeverisë dhe Presidentit Ilir Meta që akuzojnë njëri-tjetrin, ky i fundit ka zgjedhur t’i takojë vetë personalisht qytetarët e Selenicës. Takimin me ta e njofton vetë Presidenti nëpërmjet një postimi në Facebook.  

Ai thotë se ka informuar qytetarët në detaje për përpjekjet e tij për ndërtimin pa vonesa të rrugës së Selenicës. Meta bëri thirrje që banorët të mos penalizohen nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni i qeverisë.

“Mezi kisha pritur të vizitoja Selenicën, këtë qytet me pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por të braktisur prej vitesh në mjerim e vuajtje, për të biseduar hapur, sy më sy, me kërkesë të tyre, me banorët e mrekullueshëm të saj. Më njohën me problemet e shumta të përditshmërisë së tyre, nga mungesa e vendeve të punës, investimeve dhe shfrytëzimi pa kriter i tokave bujqësore nga biznesmenë të lidhur me pushtetin.  Të gjithë ishin njëzëri në kërkesën kryesore, ndërtimin e rrugës. I informova në detaje për të gjitha përpjekjet e mia të palodhura për ndërtimin pa vonesa të saj dhe për të mos lejuar më talljen me Selenicën, duke i garantuar se përherë do të jem në krahun e tyre. Rruga e Selenicës të ndërtohet menjëherë dhe banorët e kësaj zone të mos penalizohen më nga arroganca, braktisja dhe korrupsioni”, shkruan Meta në Facebook./tvklan.al










Të ngjashme