Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit e të gjithë artistët për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Devole.

Meta thotë se humori dhe arti shqiptar kanë humbur një prej kolosëve dhe figurave më të dashura.

“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoje se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë!  Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Do të kujtojmë gjithmonë duke qeshur i dashur Koço! U prehsh në paqe”, shkruan Meta.

Aktori i mirënjohur i humorit Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Aktori i shumë roleve në tekekomedi të ndryshme ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve nga virusi Covid-19, ku prej disa ditësh ishte shtruar në spital i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore./tvklan.al