Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë këtë të martë çdo lajm se kabineti qeveritar dhe vetë ai nuk justifikojnë pasurinë, për të paktën një vit të karrierës së tyre.

“Ju nuk jeni as prokurorë as gjykatës dhe nëse ju thoni që pasuria nuk justifikohet, ju mund ta thoni, por nuk do të thotë që po thoni të vërtetën. Gjasat që jeni duke thënë të vërtetën në këtë rast janë 0. Sepse dua t’ju informoj, me këtë rast të informoj dhe publikun që në Shqipëri ka një institucion të veçantë që quhet ILDKPI, është një institucion i pavarur, po përtej kësaj, është një institucion ku të gjithë personat që merren më deklaratat e pasurive mbajnë përgjegjësi penale, për çdo fshehje të fakteve. Ky institucion përpara se ne të vinim në qeveri, bënte kontrolle të përgjigthshme dhe me short bënte kontrolle të imta, shumë të detajuar, që janë njësoj si kontrollet e vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Pasi ne kemi ardhur në qeveri, bën kontrolle të imëta për të gjithë ne. Nëse ju do të shikoni dokumentin e kontrollit e pasurisë të familjes time, janë faqe e faqe të tëra. Dhe nëse ju do të shikoni dosjen e deklaratave dhe të gjitha faturat bashkëngjitur, juve do t’ju duhen ditë”.

“Vlera e pasurisë së patundshme të shqiptarëve gjatë qeverisjes sonë është rritur si asnjëherë më parë. Sidomos në Tiranë dhe disa zona të veçanta, në të gjitha faktikisht ato zona ku ne kemi zbatuar programin e rilindjes urbane vlera e pasurisë është rritur dhe qeveria ka bërë disa herë vendime për rivlerësim pasurish. Janë të njëjtat shtëpi, sot kanë një vlerë tjetër. Ça do të thotë kjo? Po të bësh kalkulime del që vlera e pasurisë së ministrave është rritur. Por po të shohësh faktet, kjo nuk lidhet me të ardhura monetare që nuk justifikohen, nuk ekziston kjo. Nuk ka shans. Edhe njëherë, është lajm 100 përqind i rremë.”/tvklan.al