Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj priti në takim Ambasadorin e Austrisë, Johann Sattler, me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të shkëlqyer dy palësh në fushën e sigurisë.

Ambasadori Sattler i shprehu ministrit Demiraj përgëzimet për postin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe nënvizoi dëshirën për thelluar bashkëpunimin shumëplanësh. Ambasadori Sattler ndau me ministrin Demiraj pikëpamje mbi fenomenin e shit-blerjes së votës dhe depolitizimit të administratës publike në fushatën zgjedhore.    

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Demiraj u përqendrua tek prioriteti madhor i mandatit të tij, garantimin e një procesi zgjedhor të pacenueshëm  përmes masave intensive për mbarëvajtjen e fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, duke neutralizuar subjekte, individë dhe grupe kriminale që minojnë procesin demokratik të votës së lirë.   

Ministri Demiraj informoi ambasadorin austriak për porositë e veçanta që ju është dhënë disa drejtorive vendore të Policisë së Shtetit për të parandaluar mundësinë e blerjes së votës nga burime të paqarta në ditët në vijim.

Ministri Demiraj vuri në dukje sfidën e pastrimit të territorit të Republikës së Shqipërisë nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, si dhe heqjen e emrit të Shqipërisë nga raportet ndërkombëtare përsa i përket drogës./tvklan.al