Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Është shpallur sot në Ministrinë e Arsimit, fituesi i Abetares së njësuar të gjuhës shqipe. Dy muaj më parë, u pranuan në konkurs dhjetë projekte nga Shqipëria dhe trevat mbarëkombëtare, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, në mënyrë që të përzgjidhej një Abetare e re e gjuhës shqipe, për mësimin e të vegjëlve. Sipas ligjit autorët ruajtën anonimatin e tyre, duke i dorëzuar këto projekte në Ministrinë e Arsimit.

Et’hem Ruka, Ministri i Arsimit:- “Asnjëri nga dorëshkrimet e paraqitura, nuk u vlerësua për vend të parë. Së dyti, të vlerësojë me vend të dytë dorëshkrimet shkronjë pas shkronje, së treti të vlerësojë me vend të tretë dorëshkrimin A+P dhe katër, dorëshkrimet fituese të vendit të dytë të përgatiten për eksperimentim për vitin shkollor 2001-2002”.

Dorëshkrimet e Abetareve janë bërë të tilla, që kushdo që të mësojë shqipen e shkruar t’i përshtaten këtij manuali. Ku anëtari i jurisë nga Kosova, prof.dr. Agim Vinca thotë:

Agim Vinca:- “Krijimi i një abetare të njësuar për të gjithë nxënësit shqiptarë është një hap drejt procesit të mëtejshëm të integrimit të kombit shqiptar në Ballkan, ndërsa përsa i përket dorëshkrimeve që kanë arritur në konkurs, kanë qenë dorëshkrime me vlerë, juria ka punuar me përgjegjësi të plotë, ka pasur mirëkuptim dhe tolerancë dhe kemi arritur të vlerësojmë si më të suksesshmet dy dorëshkrime, të cilat arrijnë t’u përgjigjen kërkesave të kohës për një abetare të njësuar shqipe në gjithë hapësirën ku mësohet gjuha shqipe”.

Për rreth 160 vjet të historikut të saj, Abetarja shqipe ka ndryshuar disa herë, por dokumenti i ri i Abetares u mundësohet nxënësve të klasës së parë me një tekst alternativ./tvklan.al