Një raport i CIA-s amerikane për Ballkanin, ku përmendej edhe Shqipëria si vend që ka probleme me drogën, është cilësuar i pasaktë dhe keqorientues nga Ministria e Brendshme.

Përmes një reagimi zyrtar për mediat, Ministria e Brendshme thekson se nuk ka asnjë raport të CIA-s gjatë këtyre ditëve të fundit, dhe këtë raporton e konsideron “produkt të organizatës The World Factbook që përditësohet çdo javë”.

Ministria e Brendshme deklaron se të dhënat në raportin e CIA për Shqipërinë dhe Ballkanin, janë të njëjta me atë të vitit 2017 dhe pothuajse të njëjta me atë të periudhës 2007-2016.

Lajmin e sotëm të CIA për Shqipërinë, Ministria e Brendshme e konsideron spekulim politik për të hedhur baltë mbi punën e Policisë së Shtetit.

Reagimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme:

Ministria e Brendshme sqaron se lajmi i dalë në media në lidhje me publikimin e një raporti të ri të CIA-s mbi situatën e sigurisë në Shqipëri, është i pasaktë dhe keq-orientues për publikun.

Sqarojmë se nuk ka ndonjë raport specifik të kësaj organizate të publikuar në ditët e fundit në lidhje me situatën në Shqipëri.

“The World Factbook”, është i publikuar në faqen zyrtare të CIA-s. Ky është një produkt i kësaj organizate që përditësohet në mënyrë të përjavshme dhe përmbajtja është lehtësisht e aksesueshme online. Pra, megjithëse përditësimi i fundit është i datës 14 gusht 2018, theksojmë se ky është një përditësim i “Factbook” si i tërë dhe jo i të dhënave specifike për Shqipërinë.

Aktualisht për Shqipërinë, “Factbook” ka të njëjtën përmbajtje me atë të vitit 2017 dhe ky tekst, me ndryshime të vogla, është pothuajse i njëjtë me atë të publikuar gjatë periudhës 2007-2016. Bashkëlidhur me këtë njoftim përcjellim edhe fotot “print-screen” të faqeve përkatëse të “Factbook” sipas viteve.

Spekulimet politike për të prodhuar me çdo kusht lajme negative njollosin dhe cënojnë drejtpërdrejt punën dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme ka qenë dhe mbetet e hapur dhe transparente me median duke informuar me korrektesë për ngjarje që kanë të bëjnë me luftën kundër paligjshmërisë e kriminalitetit. /

tvklan.al