Lajme Arkiva 2003

Ministria e Turizmit deklaron rritje të fluksit të turistëve në sezonin e këtij viti turistik me afro 27%. Piku i sezonit turistik është shënuar në korrik, ndërsa fluksi më i madh i pushuesve ka mbërritur në Shqipëri  për pushime nga Kosova dhe nga Maqedonia.

Sipas Ministrisë së Turizmit është rritur volumi turistik edhe në zona që vitet e kaluara kanë qenë më pak të frekuentuara si Shëngjini, Velipoja, Himara dhe Vlora. Zyrtarët konstatojnë se gjatë këtij viti turistik ka pasur probleme që kanë dëmtuar sezonin.

Artan Lame: Ka një lloj rënie në raport me 2002 të themi, është normale sepse nuk mund  të presim që vit për vit të vijnë 200 mijë më tepër, por unë jam i bindur se për 2004, prapë kjo kurbë nuk do të jetë më 27% por do të bjerë te 20% sepse do të fillojë të krijohet një fashë hyrjesh në Shqipëri që do të jetë standarde për hyrje daljet e turistëve në vend.

Zëvendës ministri Lame ka fajësuar strukturat e pushtetit lokal për paaftësi të menaxhimit të zonave turistike.

Artan Lame: Pushteti vendor u tregua i paaftë, apo i pazoti, pasi nuk mjafton vetëm aftësia, duhet të kesh edhe zotësi pastaj për të menaxhuar situatën e krijuar në plazhe nga fluksi turistik.

Ministria e Turizmit konsideron si problematik nivelin e ulet të shërbimeve në zonat turistike./tvklan.al