Lajme Arkiva – TV Klan 2002

Një takim me artistët me rastin e festave të fundvitit. Kështu ishte konceptuar ceremonia festive e organizuar në ambientet e GKA. Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve Arta Dade, ka zgjedhur këtë mënyrë për t’ju thënë artistëve urimet e fundvitit.

“Dëshirojë t’ju përgëzojë për punën tuaj dhe t’ju urojë suksese për të ardhmen”, ka thënë në fjalën e rastit Arta Dade. Fjalë, e cila ka zgjatur më pak se zakonisht, pasi ministrja ka preferuar të flasë në mënyrë më intime dhe jashtë mikrofonave me të ftuarit e saj në këtë fundviti. Me një gotë shampanjë në dorë ajo është takuar me të gjithë grupet e artistëve të pranishëm që kishin ardhur në këtë mbrëmje dhe kanë diskutuar nga afër gjërat që i shqetësojnë.

Në këtë festë ishin ftuar të gjithë artistët dhe drejtuesit që varen nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, si TOB, GKA, QNK, Instituti i Monumenteve të Kulturës, etj. Ka rënë në sy vetëm mungesa e drejtuesve dhe artistëve të Teatrit Kombëtar, të cilët mesa duket ende nuk i kanë shuar mëritë e vjetra me ministren Dade, që kryesisht kanë pasur të bëjnë me rikonstruksionin e godinës së TK. Ndër emrat e vetëm të artistëve, që kanë bërë përjashtim që kanë ardhur në këtë festë, kanë qenë Lazar Filipi dhe Rajmonda Bulku./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora