Veç 250 vëzhguesve afatshkurtër dhe 27 afatgjatë të ODIHR-it, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi këtë të enjte kërkesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për të patur vëzhguesit e tyre në disa qendra votimi dhe KZAZ.

20 vëzhgues dhe 19 përkthyes të përzgjedhur nga Ambasada Amerikane do të monitorojnë këtë proces. Në kërkesën drejtuar KQZ-së, Ambasada falenderon këtë institucion për punën e mirë lidhur me zgjedhjet e 30 Qershorit, të cilat i quan tepër të rëndësishme.

4 vëzhgues të shoqëruar nga 4 përkthyes vendas do të kenë respektivisht, Ambasada Britanike dhe ajo Italiane. Paraditen e të enjtes mbërriti në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe një kërkesë e delegacionit të BE që kërkon po ashtu të vëzhgojë zgjedhjet e 30 Qershorit përmes 4 të përzgjedhurve të saj që kryesohen nga Ambasadori Soreca të shoqëruar nga 4 përkthyes.

Ndërsa Këshilli i Europës edhe pse deklaroi një ditë më parë se ka tërhequr vëzhguesit përmes Sekretarit të Përgjithshëm sqaroi se do të monitorojë procesin bazuar në opinionet e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-in, me të cilin Këshilli ka një marrëdhënie të gjatë dhe mjaft të konsoliduar.

Në total numri i vëzhguesve nga organizata të ndryshme që do të jenë të pranishëm të dielën në Shqipëri për zgjedhjet do jetë rreth 1 500. Interes  kanë shprehur dhe një numër i madh gazetaresh të huaj që janë akredituar në KQZ për të ndjekur këto zgjedhje.

Tv Klan