Nuk qe menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi një shpërthim kaq të fortë sa u regjistrua edhe një lëkundje e lehtë tërmeti. Shpërthimi ndodhi në orën 03:52 të dielën, pranë qytezës së Limburg, në Gjermaninë qendrore, duke lënë pas edhe një krater 10 metra të gjerë dhe 4 metra të thellë në një fushë.

Ishin fotot e kapura më vonë nga një dron që zbuluan impaktin e vërtetë të këtij shpërthimi të ndodhur natën. Sipas asaj që shkruan BBC, fillimisht policia tha se nuk kishte të dhëna përfundimtare se bëhej fjalë për një bombë të pashpërthyer.

Por pas inspektimit nga afër në fushën me misër në Ahlbach, ekspertët xhenierë dolën në përfundimin se bëhet fjalë për një bombë të Luftës së Dytë Botërore. Ata besojnë se ishte një bombë 250 kilogramëshe, e hedhur nga një avion.

Bombat e pashpërthyera gjendjen rregullisht nëpër Gjermani dhe shpesh ato shpërthejnë gjatë kohës që po çaktivizohen nga ekspertët. Zyrtarët thonë se nuk është e padëgjuar që detonatorët të dekompozohen në një pikë të tillë që bomba të shpërthejë vetë./tvklan.al