Kryeministrja britanike, Theresa May, rrezikon të humbasë postin nga këmbëngulja për të mbështetur draft-marrëveshjen për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga BE. Një grup deputetësh rebelë brenda konservatorëve po i dërgojnë letër-kërkesa kryesisë së dhomës së ulët të parlamentit për mbajtjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministres. Nismës i janë bashkangjitur deri më tani 20 deputetë konservatorë.

Nevojiten edhe 28 kërkesa të tjera për të arritur numrin e nevojshëm prej 48 deputetëve. Konservatori Adam Holloway publikoi foton e letër-kërkesës së tij për mocion, duke komentuar nuk mund t’i besohet drejtimi i një misioni dikujt që nuk ka besim vetë në atë mision. Vendi ka nevojë për lidership, shkruan Holloway.

Nëse arrihet numri i nevojshëm, mocioni mbahet brenda 3 ditëve dhe kryeministres i duhen të paktën 158 vota që të qëndrojë në post. Në konferencën për shtyp të së enjtes, May mbrojti marrëveshjen duke thënë se pa të, e ardhmja e Britanisë është e pasigurt dhe në rrezik.

Parlamenti britanik do të votojë marrëveshjen në Dhjetor, pasi vendet e BE-së t’i japin dritën e gjelbër në samitin e 25 Nëntorit.

Tv Klan