Komisioni Europian publikoi strategjinë e zgjerimit me një mesazh të qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vlerësimi i deritanishëm është pozitiv, por secili prej vendeve aspirante duhet të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, të forcojë demokracinë dhe të bëjë reforma të thella për shtetin ligjor. Asnjë nuk do të pranohet pa plotësuar standardet dhe jo më parë se viti 2025.

Federica Mogherini:

“Vlerësojmë arritjet për secilin vend. Ka përparim për shkëmbimet financiare mes vendeve. Për strategjinë nuk kemi afate, por 2025-a është si një kufi për antarësimin. Duhen reforma në mënyrë që vendet të arrijnë standardet për jetesën e qytetarëve të tyre njëlloj si në vendet europiane. Strategjia është parapërgatitje për zgjerim, presim përparim nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjashtë muajt e parë një moment kthese për ta që do të mbahen mend”.

Për Shqipërinë në dokument thuhet ka bërë progres të rëndësishëm në rrugën europiane dhe se komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në bazë të përmbushjes së kushteve. Shqipëria vlerësohet edhe për politikën e jashtme.

Federica Mogherini: “

Për politikën tonë të jashtme dua të nënvizoj dy nga gjashtë vendet e aspirante. Shqipëria dhe Mali i Zi janë 100% në një linjë me politikën e jashtme të BE”.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn theksoi se marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor janë kusht për integrimin.

Johannes Hahn: “

Kjo strategji është një mundësi shumë e madhe për rajonin, që t’i bashkohet Europës. Strategjia inkurajon këto vende drejt perspektivës europiane. Është e rëndësishme që të gjitha kushtet të përmbushen, pasi BE nuk do të pranojë asnjë vend që ka probleme të pazgjidhura, konflikte. Strategjia vlerësim për kosovën që të vijojë rrugën e dialogut me Serbinë, dhe kjo nuk është vetëm në interesin e Serbisë. Nuk po i zbusim kushtet, por bëhet fjalë për një presion pozitiv”.

Në Strategji shihet si problem korrupsioni dhe krimi i organizuar, në të cilin flitet për elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private. Strategjia flet edhe për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë vendet e rajonit në rrugëtimin e tyre të anëtarësimit.

Tv Klan