Mbrëmjen e së martës nga studio e “Opinion”, në një intervistë përballë gazetarëve Blendi Fevziu, Spartak Koka dhe Artan Hoxha, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se Shqipëria është e përgatitur ta bëjë monitorimin nga ajri të kanabisit edhe pa italianët, pasi zotëron një flotë moderne dronesh dhe helikopterësh.

Spartak Koka: Që nga viti 2003 kur ka filluar për herë të parë bashkëpunimi me autoritetet italiane për monitorimet nga ajri të territorit shqiptar, sivjet është viti i parë, aq sa ju dëgjova, që nuk do të kemi monitorim nga ajri për territoret le të themi të vështira dhe problematike të vendit, në bashkëpunim me autoritetet italiane. Është ky një krijim sigurie nga ana e strukturave policore shqiptare, apo ka ndryshuar diçka në fizionominë e goditjes së krimit në këtë fushë?

Sandër Lleshaj: Nuk ka ndodhur asgjë e kësaj natyre. Problemi është që ka mbaruar si projekt. Rinovimi i tij është penguar për arsye objektive të situatës, e cila ka penguar dhe ka çuar në kalenda greke shumë e shumë projekte të tjera. Megjithatë ne jemi absolutisht, 100 përqind të përgatitur për ta bërë detyrën tonë edhe pa atë monitorim, sepse në thelb monitorimi ka qenë një objekt thjeshtë për të krijuar një bindje të tretë për gjendjen, sepse luftën ndaj kanabisit, kanabisin e ka shkatërruar policia shqiptare.

Sandër Lleshaj: Dua t’ju them të gjithë atyre që u ka marrë koka erë, që ta dinë se janë të hedhura në hartë dhe janë të gjitha të identifikuara dhe nuk ka shans që të ketë sukses.

Blendi Fevziu: Do të vijë avioni nga ajri?

Sandër Lleshaj: Avioni nga ajri nuk është ende një çështje e mbyllur, por nuk ka nevojë, ne sivjet kemi një flotë të tërë dronësh modernë, një flotë të tërë helikopterësh tanë dhe monitorimi është i supergarantuar.

Blendi Fevziu: D.m.th., nëse shtypi gjen dhe monitoron parcela, i bie që i ka toleruar policia?

Sandër Lleshaj: Shtypi mund të shkojë në Greqi, në Itali, në Holandë, apo në Londër dhe të gjejë, kjo nuk do të thotë se automatikisht i ka lejuar policia, por në thelb, fenomeni i kanabisit është i përfunduar. Dhe mjerë ata që ende i gënjen mendja që jo korona do të tërheqë vëmendjen, jo zgjedhjet. Një absurditet pa fund.  /tvklan.al