Mosdakordësitë në Këshill, opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR



Mosdakordësitë në Këshill, opozita propozon të merret mendimi i OSBE/ODIHR

20:58 14/09/2020

Mazhoranca: ODIHR-it i shkohet me drafte. Opozita po vonon qellimisht procesin e ndryshimeve kushtetuese

Opozita kërkoi këtë të hënë në mbledhjen e Këshillit Politik që për mosdakordësitë mes palëve, për çështjen e koalicioneve dhe hapjes së listave 100 përqind, t’i merret mendim OSBE/ODIHR-it. Por në prononcimin e tij para gazetarëve, përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri tha se vetëm pas miratimit të draftit final, mund t’i kërkohet opinion ODIHR-it.

“Opozita qëndroi në të njëjtat pozicione, a thua se nuk ka ndryshuar asgjë, pa marrë parasysh që Kushtetuta e Shqipërisë tashmë është ndryshuar dhe duke iu kthyer të njëjtit debat për koalicionet, që tashmë quhet i ezauruar. Ne kemi thënë që ne si formulim mund të marrim një model që kanë vendet e OSBE/ODIHR që kanë sistem proporcional, rajonal me lista të hapura. I thamë opozitës sot, i kërkuam që deri të enjten ose të premten, të sjellin propozimin e tyre, në lidhje me formulimet për pragun zgjedhor, me çështjen e implementimit të mënyrës sesi do të bëhet renditja e listave të kandidatëve dhe si mund të ndryshohet ajo në bazë të votimit alternativ të hapur, pra duke përzgjedhur kandidatët, si dhe elementët procedurialë të paraqitjes së listës që kanë koalicionet. Fatkeqësisht qëllimi i tyre është që ta vonojnë këtë proces, pse jo me qëllimin që ndryshimet kushtetuese të mos implementohen”.

Gjiknuri tha se kishte kërkuar që brenda 30 Shtatorit kjo çështje të mbyllet përfundimisht.

Sa i përket kërkesës për t’iu drejtuar ODIHR-it, Gjiknuri tha këtij të fundit nuk mund t’i shkohet me opinione, por me drafte.

“ODIHR-it i shkohet me drafte kur ka mungesë dakordësie. Nuk kanë sjellë asnjë draft, nuk morën përsipër asnjë draft dhe le ta ezaurojmë procesin e draftimit ligjor dhe nëse kemi ndonjë dispozitë mund të mos biem dakord, mund t’i kërkojmë opinion ODIHR-it në një moment të dytë.”

Përfaqësuesi socialist shtoi më tej se e gjitha paketa ligjore, do t’i nënshtrohet ekspertizës së ODIHR-it, por kjo do të ndodhë vetëm pas miratimit të draftit përfundimtar.

“Nëse draftet e PD dhe të PS gjatë procesit të konsultimit mund të kemi diferenca, aty natyrshëm që mund të marrim dhe opinion. Gjithmonë bëhet konsultime pas miratimit të draftit final. Le të sjellin draftet të dyja palët të afrojmë qëndrimin e palëve, nëse ka mungesë dakordësie mund t’i drejtohemi me opinion ODIHR-it”.

Nga ana e saj opozita e bashkuar, për gazetarët u shpreh se në mbledhjen e Këshillit, bëri të qartë qëndrimin e saj në lidhje me ruajtjen e koalicioneve zgjedhore siç janë sot në Kodin Zgjedhor dhe për hapjen 100 përqind të listave të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme.

“Ajo që kërkon opozita është që zgjedhësit të kenë të drejtë që të zgjedhin, të përcaktojnë ata kush do të jenë deputetët në parlament dhe po kështu, zgjedhësit të kenë të drejtë të votojnë partinë që duan ata dhe koalicionet me listë të përbërë, siç janë sot e lejojnë këtë. Ajo që kërkon mazhoranca është t’u heqë zgjedhësve mundësinë që të kenë lista 100 përqind të hapura për kandidatë por t’i ketë pjesërisht të mbyllura dhe gjithashtu t’u heqë mundësinë zgjedhësve që të zgjedhin lirisht partinë politike që ata duan”.

Bylykbashi shtoi se këto janë qëndrime diametralisht të kundërta në parimet që ka Kushtetuta dhe procesi zgjedhor, mbi bazën marrëveshjes së 14 Janarit, e cila sipas tij është themeli i punës dhe funksionimit të Këshillit Politik. Për këtë arsye ai tha se opozita kishte propozuar që të merret mendimi i OSBE/ODIHR.

“Ne për çështje që nuk kemi dakordësi sipas kësaj marrëveshje, kemi të drejtën që t’i drejtohemi OSBE-ODIHR-it për të dhënë opinion për çështje kur nuk gjendet konsensus. Bëmë këtë propozim, i cili u refuzua nga përfaqësuesi i mazhorancës. Ai shprehu qartë qëndrimin që nuk është dakord të marrë opinionin e OSBE/ODIHR-it. Ne i japim kohën që të reflektojë dhe jemi gati që, që nesër, të nënshkruhet kjo kërkesë e përbashkët dhe po nesër të vazhdojë puna për hapjen 100 përqind të listave dhe për gjithë çështjet e tjera”./tvklan.al




Të ngjashme