Artistët: Projekte ka por nuk ka hapësira për t’i vënë në jetë

Shfaqjet kanë nisur në teatro, disa prej tyre kanë publikuar edhe kalendarin e sezonit të ri artistik duke sjellë premiera absolute dhe rivënie.

Tirana është shtëpia e gati 1 milion banorëve. Por a ofrojnë institucionet e artit mjaftueshëm shfaqje dhe aktivitetet kulturore për këtë qytet në rritje?

“Mendoj që jemi një qytet me një dendësi shumë të madhe banorësh për ka pak hapësira për të zhvilluar kulturën në këtë qytet. Ne gjithmonë e më shumë po përballemi me atë që më përapara e kemi quajtur teatri i rrugës por gjithsesi kjo është diçka sezonale”, thotë aktorja Suela Bako.

Artistët evidentojnë si një problem mungesën e skenave për vënien në jetë të pjesëve artistike.

“Ajo që mungon në thelb në Tiranë është pjesa e mungesës së vendeve, ku të shpërfaqen shfaqjet teatrore. Projekte ka pafund, dëshira e artistëve është e madhe, problemi qëndron tek fakti që ti nuk ke hapësira se ku t’i japësh”.

Një projekt i ri artistik, mund të luhet për një javë dhe të ndërpritet për t’i lënë hapësirën krijimeve të tjera, çka sipas artistëve nuk lë vend për të mbuluar as shpenzimet.

“Në qoftë se mua më aprovohet një projekt unë fitimin e kam te biletat. Dhe në momentin që unë shkoj në një institucion, dhe të vetmet data janë dy fundjava nuk inkasoj dot të ardhurat e shpenzimeve dhe zhvillimit të shfaqjes”, thotë regjisorja Adelina Muça.

“Sa i përket teatrit lokal, Tirana përfaqësohet nga tetari Metropol me shfaqje jashtëzakonisht të mira por që përsëri është pak, është dhe një në Kamëz që është jashtë funksionit”, shprehet Suela Bako.

Teatri Kombëtar ka gjithsej një sallë me 400 vende, edhe Teatri Eksperimental po ashtu ka në dispozicion sallë me 150 vende.  

Tv Klan