126 ligje të miratuara, 26 vendime, dhjetëra interpelanca dhe seanca pyetjesh. Kështu e ka përmbledhur punën një vjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, Nënkryetari Namik Dokle. Sipas tij ’99 është viti i parë që Parlamenti punoi me Kushtetutën e miratuar. Nënkryetari i Parlamentit është ndalur dhe në ngjarjet që Parlamenti ynë ka qënë protagonist.

Namik Dokle: Ka qënë përballimi i krizës së Kosovës. Do të thosha që me vendimin e tij Parlamenti bëri një hap historik për lejimin e hyrjes të forcave të NATO-s në Shqipëri dhe për lejimin e veprimeve ushtarake nga toka shqiptare për të çliruar Kosovën. Ky është një kontribut i madh i Parlamentit shqiptar dhe më vjen keq që në atë moment nuk gjendej në Parlament opozita. Ne nuk kemi ende një opozitë të konsoliduar, qoftë edhe grupi parlamentar i vetë PD-së që është grupi kryesor i opozitës nuk është i konsoliduar dhe këtë nuk e them për problemet që ai ka brenda vetes sepse nuk dua të ndërhyj dhe të komentoj në problematikën e brendshme të një grupi parlamentar apo të një partie politike sepse do të ishte një ndërhyrje e kotë në këto punë, por unë shikoj që në Parlament opozita ende nuk paraqet alternativa dhe zgjidhje për problemet që përjeton vendi, por shpeshherë grupet parlamentare të opozitës janë jo zëdhënëse të zgjedhësve të tyre por zëdhënëse të mitingjeve që zhvillohen jashtë Parlamentit./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego