Një lajm i keq ka trishtuar të gjithë botën e futbollit. Maurizio Zamparini, ish-presidenti i Palermos dhe Venezias ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Muajt e fundit, Zamparini kishte pësuar dramën më të keqe për çdo prind sepse humbi djalin e tij të vogël, Armandon në moshën 23-vjeçare.

I lindur në vitin 1941, Zamparini ishte një sipërmarrës në sektorë të ndryshëm, i cili fitoi një popullaritet të madh falë hyrjes së tij në botën e futbollit. Në vitet ’80 ai mori Venezia-n, e cila ishte në Serinë C dhe pas dekadash, në 1997, lagunat u kthyen në Serinë A. Më pas pasi shiti Venezia-n dhe bleu Palermon, ishte viti 2002, një moment i rëndësishëm për klubin sicilian sepse në atë moment ndryshoi historia e atij klubi i cili në pak vite u bë një nga kryesorët në ligën italiane.

Dhjetorin e kaluar ai ishte shtruar në spitalin e Udines, ku ishte operuar dhe për shkak të problemeve gjatë operacionit kishte kaluar disa ditë në terapi intensive. Por pas disa ditësh, Zamparini ishte kthyer në shtëpi pasi gjendja e tij ishte e mirë.

Ish-presidenti i Palermos dhe Venezias, ditët e fundit ka pasur probleme të tjera dhe për këtë arsye u shtrua në spital ku për fat të keq nuk mundi të rezistonte dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.

Muajt ​​e fundit Zamparini ka vuajtur shumë për shkak të vdekjes së djalit të tij më të vogël, Armando, i cili vdiq papritur në Londër./tvklan.al