255 kilogramë kanabis sativa u sekuestrua mbrëmjen e së premtes në afërsi të Gjirit të Lalzit. Droga u gjet në këtë automjet tip Iveco. Drejtuesi i saj, 22 – vjeçari Denaldo Kollovi nga Vlora është arrestuar, ndërkohë është shpallur në kërkim pronari i mjetit, me inicialet F.M.

Sekuestrimi i lëndës narkotike u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendorë të Policisë Durrës.

Ata morrën një sinjalizim se mjeti i dyshimtë po lëvizte në zonën nga Gjiri i Lalzit, te Kepi i Rodonit. Gjatë kontrollit, forcat e policisë gjetën në vendin e fshehur mes karrocerisë dhe kabinës, 119 pako të mbështjella me celefan transparent, me një peshë prej 255 kilogramë lëndë narkotike.

Ajo u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia dyshon se pronari i makinës i shpallur në kërkim, e ka transportuar lëndën narkotike nga Vlora në Gjirin e Lalzit me qëllim, kalimin e saj përmes rrugëve detare në Itali.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprime të mëtejshme për veprën penale “trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Tv Klan