Ai konsiderohet si një nga personalitetet që i kanë dhënë shumë artit shqiptar përmes dhuntive të tij si aktor, skenarist, regjisor filmi artistik, regjisor i filmit vizatimor, regjisor teatri,  pedagog, etj.  Por krahas teatrit dhe kinematografisë, ai është edhe një nga karikaturistët e shquar shqiptarë.

Bëhet fjalë për Bujar Kapexhiun, i cili gjithashtu mban titujt “Artist i merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Së fundmi ai ka çelur ekspozitën e titulluar “Ndërkombëtarët”, ku edhe i është akorduar çmimi “Nderi i Kombit”. Kapexhiu ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur lidhur me ekspozitën dhe tregoi se është pritur mirë dhe ka pasur shumë politikanë që e kanë vizituar.

“Përmes kësaj ekspozite tregohet marrëdhënia e vendit tonë me ndërkombëtarët.  Kjo ekspozitë është e tematikës së veçantë sepse është dhënë në një moment të veçantë, në një moment krize. Ne gjithmonë mendojmë se çfarë do të thonë ndërkombëtarët dhe gjithmonë në këto situata ndërhyjnë ndërkombëtarët. Duke qenë ne të pazotë kërkojmë nga ndërkombëtarët që të ndërhyjnë dhe të na vijnë në ndihmë.

Jemi kaq pak dhe çuditërisht nuk merremi vesh me njëri-tjetrin. Nga të gjitha palët duhet mirësia dhe sinqeriteti për progresin e Shqipërisë. Në përgjithësi ekspozita është pritur mirë dhe me interes. Ka pasur edhe politikanë që e kanë vizituar dhe kanë parë veten në momente delikate. Ka pasur fjalë të mira dhe unë kam kënaqësinë që me shumë prej tyre kemi diskutuar për shumë probleme. Megjithatë e fundit është karikatura, ajo thotë të vërtetën”,

tha Kapexhiu.

/tvklan.al