Shkon në 15 numri i viktimave nga koronavirusi



Shkon në 15 numri i viktimave nga koronavirusi

18:24 31/03/2020

20 raste të reja në 24 orë. 243 të infektuar në total

Koronavirusi ka regjistruar viktimën e 15 këtë të martë në Shqipëri. Dy pacientë ndërruan jetë gjatë pasdites në Spitalin Infektiv.

Ata janë një 77-vjeçar nga Kavaja që po trajtohej prej 2 javësh nga mjekët, por që ndërroi jetë në mënyrë të papritur nga një infarkt miokardi.

77-vjeçari vuante nga disa sëmundje. Viktima tjetër është një 69-vjeçar nga Hasi, i cili kishte 8 ditë në spital, por së fundmi gjendja ishte rënduar së tepërmi dhe po mbahej me respiracion të drejtuar.

Edhe numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë tashmë ka shkuar në 243. Tirana vijon të jetë qyteti me numrin më të madh të të infektuarve.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19”.

Gjatë 24 orëve të fundit analizat për 15 pacientë të prekur nga koronavirusi kanë rezultuar negative, duke e çuar kështu në 59 totalin e personave të shëruar nga ky virus që ka izoluar botën.

Tv Klan




Të ngjashme