Senatori John McCain, i cili shërbeu gjashtë mandate radhazi në Senatin amerikan dhe kandidoi dy herë për president vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin në tru.

Në vitin 1967 McCain u burgos dhe u torturua pasi u kap rob në Vietnamin e Veriut kur ishte pilot i marinës amerikane.

Në sytë e shumë amerikanëve McCain ishte një hero lufte dhe një patriot.

Ai përfaqësoi shtetin e Arizonës në Senat dhe u bë i njohur si një luftëtar i së drejtës, pa marrë parasysh se cilin krah politik përfaqësonte ajo.

John McCain u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 1982 dhe në Senat në 1986. Ai ishte një politikan konservator në shumicën e çështjeve dhe u përpoq sidomos për reformën e financimit të fushatave dhe për çështjen e amerikanëve që rezultonin të zhdukur në Vietnam.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ai u përball me kandidatin demokrat Barak Obama dhe humbi. Megjithatë ai vazhdoi të shërbejë në senatin amerikan.

McCain tregoi mjaft interesim për çështjet e Ballkanit dhe e ka vizituar disa herë rajonin.

Në Prill 2017, gjatë një vizite në Kosovë, ai kujtoi përpjekjet e bëra në rrugën e Kosovës për të arritur tek pavarësia.

Në parlamentin e Kosovës ai tha: “

Megjithë përparimin që ka bërë Kosova, ende mbeten shumë punë për t’u bërë. Por në këtë punë, ju nuk do të jeni vetëm. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin për të përmbushur sfidat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që keni përpara. Nëse më lejoni, si një mik i vjetër që dëshiron ta shohë Kosovën të ketë sukses, do të doja të ndaja me ju shpresat e mia për të ardhmen e ndritur të Kosovës”.

Muajt e fundit të jetës McCain i kaloi larg syve të publikut në shtetin e Arizonës, duke pranuar vizita nga miqtë e shumtë dhe politikanët e afërt me të. Ai vuante nga glioblastoma, një lloj kanceri i trurit.

Menjëherë pas njoftimit për ndarjen e tij nga jeta, President Donald Trump shprehu me Twitter ngushëllimet e tij:

Ngushëllimet dhe respektin më të thellë për familjen e Senatorit John McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me ju

“, shkruante Presidenti Trump.

Në kujtimet e tij të botuara në muajin maj, McCain shkruante se i vinte keq që po ndahej nga bota, por nuk kishte ankesa.

“Krijova një vend të vogël për veten në tregimin e Amerikës dhe në historinë e kohëve të mia”

, shkruante ai.

Muajt e fundit, ai ka qenë një kritik i ashpër i Presidentit Trump për çështje të ndryshme. Ai thoshte se e shihte Presidentin Trump dhe ideologjinë e tij Amerika e Para si një largim nga vlerat dhe tradita e udhëheqjes globale që ai mendonte se mishërojnë Shtetet e Bashkuara./VOA