Lajme Arkiva 2003

 Rrezikohen vlerat arkeologjike të lagjes Kala të qytetit të Elbasanit. Ndërtime të shumta me apo pa leje që kanë filluar të lulëzojnë në këtë lagje rrezikojnë që të shfarosin gjurmët e disa qytetërimeve si romak, bizantin dhe otoman që prej shekujsh ruhen në këtë lagje. Specialistët shprehen të shqetësuar për humbjen e këtyre vlerave të mëdha arkeologjike.

“Për fat të keq institucionet përkatëse që japin leje për këto, sikundër KRT-ja e Elbasanit me në krye zotin Tomi dhe Institutin e Monumenteve nuk respektojnë rregullat ligjore për nëntokën, këtë pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore të  Elbasanit”.

Doktori i shkencave arkeologjike Ylli Cerova, kërkon që bashkia e rrethit dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës të mos japi më leje për ndërtime të reja në këtë lagje. Pronari i një prej ndërtimeve të reja që po kryhet në këtë lagje, thotë se ndërtimin e ka me leje nga bashkia dhe Monumenti i Kulturës dhe do të vazhdojë punimet për objektin që ka planifikuar të ndërtojë.

“Kemi një objekt kundrejt të gjitha rregullave dhe vendimeve të qeverisë. Kemi marrë leje në Monumentin e Kulturës. Erdhi projekti e morëm lejen në Bashki, në KRT, jemi komplet në rregull. I kemi marrë lejet. S’ka asnjë problem. Ne jemi shumë në rregull”.

Ndërkaq specialistët e arkeologjisë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të shmangur shfarosjen e vlerave arkeologjike./tvklan.al