Pas zgjedhjeve paraprake në Ajoua dhe Nju Hampshire, fokusi i kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është te gara e ardhshme, ajo në Karolinën e Jugut më 20 shkurt.

Debati i fundit i kandidatëve republikanë ishte tejet kaotik pasi ata vazhdimisht i prisnin fjalën njëri-tjetrit dhe nuk munguan as akuzat e forta.

Favoriti kryesor për Republikanët, Donald Tramp, shënjestroi në fjalimin e tij ish-Guvernatorin e e Floridas, Jeb Bush. Miliarderi amerikan kritikoi fort rolin e SHBA-ve gjatë luftës në Irak dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Ne nuk duhet të shkonim kurrë të luftonim në Irak”, – tha Tramp. “Ata gënjyen, thanë se në Irak ka armë të shkatërrimit në masë, ndërkohë që e dinin mjaft mirë që nuk kishte”.

I menjëheshëm ishte edhe reagimi i Jeb Bush, i cili i krahasoi akuzat e Tramp me ato që Presidenti Obama bën ndaj vëllait të tij sa herë që has probleme.

Debati i fundit i Republikanëve që nisi me 1 minutë heshtje në kujtim të Antonin Scalia, anëtar më i vjetër i Gjykatës së Lartë i larguar nga jeta ditën e shtunë,  përfundoi me tone të larta mes kandidatëve.

Tv Klan