Borxhi publik arrin në 80% të PBB-së

Qeveria ka ndryshuar për herë të katërt buxhetin e këtij viti me akt normativ, duke i lejuar vetes të shtojë me 100 milionë Euro shpenzimet për investime publike dhe vaksinimin e popullatës.

Buxheti i ri ka arritur vlerën më të lartë historike të regjistruar ndonjëherë prej 5 miliardë Eurosh, por vlerë rekord llogaritet të kapë edhe borxhi publik duke arritur në fund të këtij viti në 80% të Prodhimit Kombëtar këtë vit për të mundësuar financimin e këtyre shpenzimeve.

Buxheti i ri do të mundësojë hapjen e garës për ndërtimin e segmentit të Unazës Veriore të Tiranës dhe segmentin Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri.

24 milionë Euro do t’i marrin projektet e programeve të zhvillimit dhe 20 milionë ato të ujësjellës – kanalizimeve, 8 milionë Euro do të shtohen te fondi në buxhet për By Pass-in e Vlorës dhe 8 të tjera për programin IPARD të Ministrisë së Bujqësisë me qëllim rritjen e donacioneve  fermerëve, ndërsa ka rishpërndarë fonde brenda programeve që nuk kanë avancuar si duhet.

Fondi rezervë do të rritet me 16 milionë Euro të cilat do të ndahen për blerjen e një sasie shtesë të dozave të vaksinave, programit të dronëve në bazë të marrëveshjes mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Turqisë, ndërsa fonde shtesë në masën 7 milionë Euro merr dhe Bashkia e Tiranës për projektin e Teatrit Kombëtar.

Këshilli i Ministrave ka ndryshuar me akt normativ edhe ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, duke i lejuar vetes që të rrisë nivelin e borxhit i cili ndalohej nga ky ligj dhe të ketë balancë primare negative deri në vitin 2024 me qëllim rritjen e stimulit ekonomik pas goditjeve të pandemisë e tërmetit.

Tv Klan