Varrezat-Në Shqipëri nuk do të ketë vetëm varreza shtetërore por edhe private e fetare. Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ku janë propozuar disa ndryshime në ligjin ekzistues parashikon që për njësitë vendore deri në 100 mijë banorë të lejohet hapja e një varreze private administrimi i të cilës të bëhet nga subjekt privat.

Risi do të jetë edhe mënyra e varrimit. Propozimi përmban 3 variante, varrimin nëntokësor, atë mbitokësor ose me krematorium, me ritual fetar ose laik.

Hirin e e trupit të djegur mund ta mbajnë familjarët, ose ta vendosnin në varrezat përkatëse. Nëse është lënë amanet hiri mund të derdhet në hapësirë, por larg ujrave të përdorshëm.

Projektligji i ri jep edhe mundësinë e prenotimit të varrit nëpërmjet një kontrate përdorimi që nuk i jep të drejta pronësie mbi të. Këto janë disa nga ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri për shërbimin publik të varrimit ende i papublikuar dhe i diskutuar në komisionet përkatëse.

Ndërkohë që ofrohen zgjidhje të reja me varrezat private e fetare, kryeqyteti vazhdon të ketë dy varreza të mbyllura. Buxheti mbahet ende i bllokuar ndonëse është zgjidhja më emergjente për ti përcjellë banorët që lënë këtë jetë.

TV KLAN