Nxënësit e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit, që mësimi që nisë në muajin Shtator, të mbahet online në distancë. Ata thonë se kjo formë e mësimit nuk ka treguar aspak sukses.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, tre muajt e fundit të vitit të kaluar shkollor, mësimi u zhvillua po në distancë. Nxënësit nuk e përjashtojnë mundësinë e bojkotimit të mësimit në Shtator.

Autoritetet thonë se vendimi për mësim në distancë është marrë mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse, duke pasur parasysh rrethanat që ka krijuar pandemia. Sipas tyre, në plan të parë, me këtë vendim, është vendosur shëndeti i nxënësve dhe mësimdhënësve.

Përfaqësuesi i nxënësve, Blendi Hodai, thotë se nuk jemi të përgatitur që të ndryshojmë tërësisht formën e mësimdhënies, nga ajo tradicionalja me prezencë fizike, në mësimin në distancë.

Sipas tij ka shumë arsye, duke nisur nga mungesa e kapaciteteve të një pjese të mësimdhënësve që të përdorin teknologjitë informative, mungesën e pajisjeve elektronike dhe qasja në internet e një pjese të konsiderueshme të nxënësve etj.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i ka ftuar që të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të informohen me situatën me COVID-19, për rreziqet që paraqet kjo sëmundje dhe për pasojat që mund të ketë nëse nuk zbatohen rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.

Klan Plus