Ministria e Bujqësisë: Deri tani nuk kemi konstatime, raportoni për shpendë të ngordhur

Deri tani nuk ka asnjë konstatim me infektim të shpendëve me virusin e gripit në Shqipëri, por vetëm raste të dyshimta. Autoritetet kanë marrë mostra në disa qarqe pas rasteve të ngordhjes së zogjve dhe pritet përgjigjja e analizave

Tana Kika, drejtore e Autoritetit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thotë se zonat më të rrezikuara janë ato me prani të shpendëve migratorë, kryesisht përgjatë lagunave dhe vendeve liqenore në pjesën e Shqipërisë së Mesme dhe veri të vendit.

“Deri më tani nuk ka asnjë rast të konstatuar të shpendëve me këtë virus, jemi në proces analizimi dhe për çdo rezultat do të njoftojmë.”

Nga ana tjetër autoritetet kanë marrë masa për bllokimin e importeve të shpendëve të gjalla, mishit dhe vezëve të tyre nga 17 vende të botës, përfshirë së fundi Greqinë Veriore dhe Kosovën për të parandaluar infektimin e shpendëve në Shqipëri me virusin e gripit. Autoritetet do të vijojnë bllokimin edhe nga vende të tjera në rast se do të jepet sinjali “alert” nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve.

“Jemi vigjilentë dhe presim njoftimet e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve për të bërë ndalime në import.”

Autoritetet bëjnë thirrje për raportime të rasteve kur konstatohet ngordhje e kafshëve në mënyrë që të merren mostrat për të kryer diagnostikimin, ndërsa kërkojnë që konsumatorët të bëjnë kujdes dhe në çdo rast t’i konsumojnë këto produkte të gatuara mirë.

“Në çdo rast që konstatohen shpendë të ngordhur, të egër ose jo, duhet të bëhet njoftimi që të marrim mostrën për analizën. Konsumatorët të konsumojnë produktet me nxehtësi mbi 70 gradë Celsius.”

Virusi i gripit të shpendëve i llojit A1 mund të transmetohet te njeriu dhe të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore, por deri më sot është konstatuar vetëm 1 rast në Kinë të transmetimit të tij te njeriu.

Tv Klan