Në vend kanë ardhur 290 mijë doza vaksinash anti-covid



Në vend kanë ardhur 290 mijë doza vaksinash anti-covid

11:40 07/04/2021

8% e popullsisë kanë marrë dozën e parë të një prej 4 vaksinave 

Imunizimi i popullsisë ndaj Covid-19 në vendin tonë ka startuar më 11 Janar të këtij vitit dhe deri më tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës 8% e popullsë. Aktualisht në vendin tonë janë duke u administruar 4 lloje vaksinash, Sinovak, Pfizer, Astra Zeneca dhe Sputnik V.

Deri më tani kanë mbërritur 289,540 vaksina anti-covid, të mjaftueshme për të marrë dozën e parë 10.3 % e popullsisë së vendit.

Prej vaksinave që kanë ardhur në vend, 66% e tyre janë doza të Sinovac, 53,540  janë të kompanisë Pfizer, 34 mijë të Astra Zeneca, të cilat kanë ardhur nga kontrata që qeveria shqiptare ka me programin e Covax.

Ndërsa 10 mijë doza janë vaksina ruse, Sputnik V. Pak ditë më parë kryeministri lajmëroi se është arritur marrëveshja për ardhjen edhe të 50 mijë vaksinave të tjera Sputnik.

Ndërkohë që brenda datës 20 Prill duhet të vijnë edhe 22 mijë vaksina të tjera të Pfizer nga kontrata direkte që qeveria ka me kompaninë e Pfizer Biontech për blerjen e 500 mijë vaksinave në total.

Po ashtu autoritetet kanë deklaruar se gjatë këtyre ditëve, pritet dhe një ngarkesë e vaksinave kineze Sinovac, por se sa do të jetë sasia e tyre dhe dita e mbërritjes ende nuk është bërë zyrtare.

Kategoritë që kanë marrë dozën e parë të vaksinës janë bluzat e bardha dhe po vijohet me dozën e dytë. Vaksinimi është shtrirë në moshat +75 në mbarë vendin, si dhe janë duke u imunizuar me dozën e parë arsimtarët, pedagogët, forcat e policisë dhe gazetarët.

Një shqetësim që grenë ekspertët e imunizimit është mungesa e një numri të gjelbër ku qytetarët të raportojnë efektet anësore të vaksinimit.

Vaksinat që kanë ardhur në Shqipëri:

289,540 vaksina në total

192 mijë doza Sinovac

53,540  Pfizer

34 mijë Astra Zeneca

10 mijë Sputnik V

Klan News







Të ngjashme