Pas takimeve të ndara që emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak zhvilloi fillimisht me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi e më pas me atë të Serbisë, në Bruksel më pas ka nisur takimi trepalësh.

Në këto takime po diskutohet për çështjen e dinarit serb, që është ndaluar për qarkullim nëpërmjet rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës si dhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneks marrëveshjes së Ohrit.

Derisa në Bruksel zhvillohej takimi kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për radion Evropa e Lirë. Ka thënë që pret gjëra konkrete nga ky takim.

“Nuk ka kurrfarë ndëshkimi për serbët. Pra, rregullorja e re nuk është ndëshkim, por është një përpjekje e radhës shumë serioze për të bërë formalizimin, legalizimin e transaksioneve financiare”, tha Kurti.

Një ditë më parë presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se një pjesë e propozimit amerikan për dinarin serb në Kosovë është pranuar.

Javën që shkoi në Kosovë ishte i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar me propozime konkrete për të tejkaluar një periudhë tranzicioni për çështjen e dinarit serb.

Tv Klan