Gjermania kërkon nga Shqipëria prova të forta për përparimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përpara se parlamenti gjerman t’i hapë dritën e gjelbër negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Këtë e shpreh kreu i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Europian në parlamentin gjerman, Gynter Krishbaum, në një intervistë për Deutsche Welle.

“Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk bëhen për të na bërë ne në Berlin një favor, por për të çuar përpara vendin. Ndaj unë pres në këtë drejtim luftë më të vendosur kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sigurisht nevojiten edhe reformat ekonomike kështu që ka ende shumë punë”.

Krishbaum, i cili është pjesë e grupit parlamentar të kristian demokratëve të kancelares Merkel shpjegon se rekomandimi i Komisionit Europian është dokumenti kryesor, por jo i vetmi që merret në shqyrtim.

“Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare. Ne si grup parlamentar i CDU-CSU kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Komentet, parlamentari gjerman i bëri pas takimeve që kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Lulzim Basha zhvilloi në Berlin për të bindur politikën gjermane dhe grupimin e Partive Popullore Europiane, që të mbështesin çeljen e negociatave për Shqipërinë, pavarësisht mangësive.  

Tv Klan