Pas arritjes së dakordësisë në Konferencën e Kryetarëve me përfaqësuesit e PD-së, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi është shprehur se kjo mbledhje ishte një frymë e mirë përpsa i përket vazhdimit të një jetë normale parlamentare.

Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, Çuçi ka deklaruar se është vendosur të krijohet një grup i posaçëm që do të rregullojë objektet e 2 komisioneve hetimore, atë të sistemit “TIMS” dhe “Koncensionet në Shëndetësi”.

Bledi Çuçi: Diskutuam dhe u duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin aty ku e lamë në Tetor. Sot vendosëm që atë që ne e kemi thënë dhe po e prisnim prej më shumë se 4 muajsh. Lanë një grup të përbashkët që të merren me rregullimin e objektit për ta sjellë sipas kërkesave në ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Mendoj se ishte frymë e mirë përsa i përket vazhdimit të një jete normale parlamentare. Ata vendosën të bëjnë atë aksion që nuk i çon gjëkundi dhe të hyjnë në një jetë normale parlamentare.

Kur u pyet nga gazetarët në lidhje me konsensusin me PD-në për Reformën Zgjedhore, Çuçi ka thënë se ka një komision që funksionon.

Bledi Çuçi: Reforma Zgjedhore ka një komision që funksinon, do të shohim produktin e këtij komisioni. Tani po punohet bashkë me ekspertët e ODIHR, do të shohim produktet e komsionit bipartizan dhe do t’i trajtojmë si të gjithë. Komisioni bipartizan ka jetën e vet. Ne ramë dakord në parim që të diskutojmë për çështje që kanë të bëjnë me një shumicë të cilësuar për t’i miratuar në bërthama më të vogla se komsioni ligjor dhe në finale është vendimmarrja në seancë plenare. Ne kemi ngritur një komision, ja kemi dhënë të gjithë kohën e nevojshme dhe komisioni do të përfundojë mandatin me një produkt. Aty janë të përfaqësuar të gjithë korentet opozitare në atë komision. Do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare në kuvend. Produkti i komisionit bipartizan do të shqyrtohet në procedura normale parlamentare. Shqipëria ka një kod zgjedhor funksional.

/tvklan.al