Pak ditë para nisjes së turit në Diasporë, kryeministri Edi Rama u ka përcjellë një mesazh shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, me të cilët do të ketë takimin e parë në 12 maj, ku do t’i drejtohet një auditori prej rreth 5000 bashkatdhetarësh, të cilët do të mblidhen në sallën e lojrave olimpike në lagjen Galatsi.

“Mezi pres të takohemi, me krenari të madhe për të gjithë ju, shqiptarët e Greqisë”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare, teksa ka postuar edhe një video me flamujt e Greqisë dhe Shqipërisë, shoqëruar me një këngë popullore nga jugu.

Por përveç Athinës, Edi Rama do të mbledhë emigrantët e Italisë në Milano më 26 maj, më pas në Londër më 16 qershor dhe 10 ditë më pas në Duseldorf të Gjermanisë. Këto takime po priten me normalitet, përveç takimit në Greqi. Mediat vendase e kanë lidhur këtë vizitë me situatën e krijuar mes dy vendeve për shkak të Fredi Belerit, sidomos pas kandidimit të tij nga pala greke për Parlamentin Europian.

Ndër të tjera, mediat greke shkruajnë se kryeministri grek Micotaqis është i shqetësuar për prezencën e homologut shqiptar në Athinë, pasi mund të ndikojë tek vota e shqiptarëve për zgjedhjet e eurodeputetëve grekë.

Por pavarësisht diskutimeve në Greqi, Edi Rama nuk e ka ndryshuar aspak axhendën, duke u rikujtuar në mënyrë të vazhdueshme shqiptarëve në Greqi, takimin e shumëpritur më 12 maj.

Klan News