Kryeministri në detyrë njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin për vonesat në krijimin e një koalicioni qeverisës. Ai ka thënë se e gjithë barra e kësaj vonese bie mbi partinë fituese, ndërsa qeverinë e ardhshme të Kurtit e konsideron qeveri të dështimit.

Haradinaj sërish ka përsëritur qëndrimin se partia e tij do të shkojë në opozitë. Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës është duke vazhduar konsultat brenda partisë lidhur me bisedimet që ka zhvilluar deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm qeverisës ndërmjet këtyre dy partive.

Isa Mustafa ka ftuar për nesër Këshillin Drejtues. Nënkryetari i LDK-së Abdullah Hoti ka shfaqur shpresën për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje me LVV-në.

Më 26 Dhjetor, Presidenti ka thirrur mbledhjen konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur më 6 Tetor të këtij viti, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Tv Klan